Krenar Gashi

blogs, opinions and some other writings

Formimi i Qeverisë dhe Mbizotërimi i Parimeve Demokratike

Sipas të gjitha gjasave, formimi i qeverisë së ardhshme të Kosovës do të shkoj kësisoj: Presidentja e mandaton Hashim Thaçin si i nominuari i subjektit që fitoi shumicën relative të votave në zgjedhjet e 8 qershorit. Hashim Thaçi, për 15 ditë, mundohet t’i bindë partitë tjera që të hynë në koalicion paszgjedhor me partinë e tij. Pas 15 ditëve, përbërja e qeverisë së re hyn në rendin e ditës në Kuvend për të marrë votën themeluese. Nëse kabineti i propozuar nga Thaçi merr 61 vota, ai zgjedhet kryeministër për një mandat të tretë. Megjithatë, shansat janë shumë të mira që Thaçit t’i dështojë votimi në Kuvend, duke marrë parasysh faktin që forcat tjera politike të përfaqësuara në organin më të lartë të shtetit kanë lidhur koalicion, e besa edhe pak inat, për ta lënë atë në opozitë. Në këtë rast, procesi mund të marrë dy kahje: E para, Presidentja e mandaton forcën e dytë politike që doli nga zgjedhjet, LDK-në, që njëherit është në koalicion paszgjedhor me AAK-në dhe Nismën dhe e përkrahur nga Lëvizja Vetëvendosje për të themeluar qeverinë. Në këtë rast, Presidentja mund të vendosë praktikën e re institucionale duke vendosur nëse do ta mandatojë LDK-në si forcë e dytë politike apo gjithë koalicionin si shumicë e votave në Kuvend. Dosido, në këtë skenar, i nominuari i koalicionit për kryeministër Ramush Haradinaj e ka shumicën në Kuvend dhe qeveria e propozuar prej tij do të marr mandatin e radhës. E dyta, Presidentja, sipas interpretimeve të partise fituese të zgjedhjeve, e mandaton një kandidat tjetër nga PDK-ja për të formuar qeverinë. Ky mandatim paraqet rrezik serioz që të krijohet një ngërç institucional, meqë bie në kundërshtim me parimin bazë të demokracisë, me praktikat e demokracive parlamentare si dhe me rrjedhën logjike të mendimit. Me këtë të fundit, për shkak se deri në atë moment do të jetë shumë e qartë që PDK-ja nuk do të mund ta krijojë një shumicë parlamentare të nevojshme për ta votuar qeverinë dhe një mandatim i dytë i tyre për të formuar qeverinë mund ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme. Insistimi se fituesi relativ i zgjedhjeve domosdoshmërisht duhet të jetë në qeveri, nuk është më thjeshtë veç favorizim kushtetues i të parit në zgjedhje, siç është fakti që i pari mandatohet përkundër numrave në Kuvend, por, është një zhvendosje e kuptimit të dispozitës kushtetuese, e cila megjithatë e sheh si të domosdoshme që qeveria të ketë përkrahjen e shumicës absolute në Kuvend. Ani pse kahja e dytë ka fare pak gjasa që të ndodhë, zgjedhjet edhe në këtë rast, mund të evitohen. Nëse megjithatë Presidentja e mandaton PDK-në edhe për raundin e dytë të formimit të qeverisë, atëherë LDK-ja, AAK-ja, Nisma dhe Vetëvendosja, mund ta votojnë qeverinë e propozuar nga kandidati i dytë i PDK-së, vetëm sa për t’i evituar zgjedhjet. Kjo qeveri e PDK-së do të ishte një qeveri e pakicës, qeveri këto që në vendet me parlamentarizëm pozitiv si Kosova nuk janë asnjëherë të qëndrueshme. Kësisoj, të njëjtën qeveri, këto parti të cilat këto ditë pa të drejtë po i quajnë opozitare, mund ta shkarkojnë brenda pak ditësh, përmes mocionit të mosbesimit në Kuvend. Duke qenë se këto katër parti përbëjnë shumicën absolute në Kuvend, nuk do ta kenë fare vështirë që menjëherë pas mocionit të mosbesimit të propozojnë kabinetin e tyre qeveritar dhe të njëjtin ta votojnë në Kuvend. Krejt çka mjafton për këtë skenar është që Presidentja të mos e shpërndajë Kuvendin, gjë të cilën mund ta bëjë në mënyrë autonome pas mocionit të mosbesimit. Thënë troç, nëse koalicioni LDK – AAK – Nisma, me përkrahjen e Vetëvendosjes, me të vërtetë dëshirojnë ta lënë partinë fituese të zgjedhjeve në opozitë, këtë mund ta bëjnë fare lehtë, në të gjitha skenaret e mundshme. Pra, përkundër të gjitha kritikave të lansuara kohën e fundit për paqartësinë e provizioneve kushtetuese, Kushtetuta e Republikës sonë njëmend e mbron, në të gjitha rastet, natyrën demokratike të shtetit dhe parimin bazë të demokracisë sipas të cilit është shumica ajo që sundon. Ky artikull është botuar në Gazetën Blic. 

Advertisements

Information

This entry was posted on June 20, 2014 by in Op-Ed, Shqip and tagged , , , , .